Wednesday, June 19, 2013

Podujeva kremtoi Ditën e Lirisë

Aktivitetet për nder të 19 Qershorit - Ditës së Lirisë së Podujevës udhëheqja komunale i ka filluar në orët e paradites me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule te varri i heroit të Kosovës - Komandantit të UÇK-së Zahir Pajaziti në Orllan dhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve çekë në Shajkoc. Ndërsa aktiviteti kryesor ka qenë zbulimi i lapidarit të dëshmorëve dhe të rënëve në fshatin Shajkoc. Në manifestimin e organizuar me rastin e përurimit të lapidarit në Shajkoc, në të cilin janë skalitur emrat e dëshmorëve, të rënëve dhe martirëve nga ky fshat, përveç udhëheqjes komunale të Podujevës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, veprimtari i shquar Adem Demaçi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish luftëtarë, veprimtarë dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve. Duke folur në këtë manifestim, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka thënë se në Ditën e Lirisë për komunën, qytetarët e Shajkocit po kryejnë një akt fisnik në nderim të kujtimit e të mirënjohjes për të rënët, dëshmorë e martirë, të këtij fshati, që shenjojnë histori qëndrese e flijimi ndër beteja e luftëra, në të kaluarën dhe deri tek kjo e fundit, në kauzën e lirisë - për mëvetësi e shtet. “Trima si Hasan Ramadani, Iliri e martirët e tjerë këtu, Aliu, Zahiri, Hakifi e Iliri, Heronj të Kosovës, yjet e Kodrës së Diellit- Afrimi dhe Fahriu, Ylfetja, Agroni e Bahriu e shumë dëshmorë e martirë të Luftës së UÇK-së, Podujevës si gjithandej Kosovës i japin hisen e krenarisë e të dhimbjes në flijimin për lirinë”, tha Veliu. Ndërsa, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi duke lartësuar luftën e UÇK-së tha se populli ynë asnjëherë nuk e ndali luftën për liri. Demaçi apeloi që të lihen mënjanë interesat personale dhe politike dhe të vazhdojnë përpjekjet për unitet kombëtar. “Heronjtë dhe dëshmorët tanë e vunë interesin e kombit mbi interesin personal dhe me luftën dhe flijimin e tyre hapën rrugën e lirisë”, tha Demaçi. Ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka tha se njeh mirë historinë e rezistencës dhe luftës për liri të Llapit. Ai përmendi rezistencën dhe luftën heroike deri në rënie të Hasan Ramadanit, të Zahir Pajazitit, Ilir Konushefcit dhe të shumë dëshmorëve të tjerë. "Ne kemi dy shtete dhe dy flamuj shtetëror, por jemi një komb dhe kemi një flamur kombëtar”, tha Lauka. Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë kontributin luftëtarëve të Llapit në luftën çlirimtare dhe është shprehur i lumtur që po merrte pjesë në zbulimin e lapidarit. Zbulimin e lapidarit me emrat e dëshmorëve, të rënëve dhe martirëve nga ky fshat e kanë bërë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ambasadori Islam Lauka, veprimtari Adem Demaçi, Ramush Haradinaj, Muhamet Latifi dhe përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve. Për nder të 19 Qershorit – Ditës së Lirisë në komunën e Podujevës janë zhvilluar edhe shumë aktivitetet të tjera.

No comments:

Post a Comment